28.11.12

Kombi optimist


Feuilleton, Neue Zürcher Zeitung, 28 nëntor 2012

Një përmbledhje dhe një përkthim i shpejtë i artikullit origjinal.

Ndërsa në Serbi bie në sy depresioni dhe fakti se parrullat nacionaliste nuk kanë më efekt, tek shqiptarët, të ndarë në disa shtete, mbizotëron optimizmi. Por, ndërsa tek serbët depresioni është i kuptueshëm: lufta dhe humbja e saj në vitet '90, humbja e Kosovës, tek shqiptarët, në vështrim të parë, optimizmi të duket i çuditshëm. Sepse Kosova dhe Shqipëria janë dy vendet më të varfëra të Evropës: nuk prodhojnë dhe eksportojnë pothuaj asgjë, me qindramijëra kanë imigruar nga rajonet malore drejt qyteteve, shteti është në duart e karteleve të pushtetit të cilët shkëmbejnë votat dhe bindjen e qytetarit me vende pune, drejtësia është e dobët dhe e korruptuar. Në Kosovë, përveç të tjerave, ndërtimi i shtetit nuk ka mbaruar as nga brenda e as nga jashte. EU që nuk i beson shtetit të ri ka atje një mision policor dhe gjyqësor të vetin kompetencat e të cilave ndërhyjnë thellë në sovranitetin e shtetit të ri. Plot 5 vende të EU refuzojnë vendosjen e plotë të marëdhenieve diplomatike.

E megjithatë, kjo frymë optimizmi në territoret shqiptare ka arsye të forta: Kurrë më parë në histori shqiptarët nuk kanë pasur kaq shumë liri për të vetëvendosur dhe kaq pushtet politik. Në 1990 u rrëzua diktatura staliniste e Hoxhës. Në 1999 Beogradi tërhoqi mbrapsht nga Kosova, nën detyrimin e trupave të Natos, rregjimin e aparthaidit, në 2001 shqiptarët e Maqedonise detyruan pranimin e grupit të tyre si  të dytin në Maqedoni, dhe në 2008 u shpall pavarësia e Kosovës.  Për të ardhur deri këtu ka qenë një rrugë e gjatë.

Prej 1990 po zhvillohet një shoqëri panshqiptare e komunikimit (sipas O. Schmitt). Kjo nuk ngelet vetëm tek përmirësimi i rrugëve: Tirana, Prishtina dhe së shpejti Shkupi do të lidhen me autostrada, ndërtimi i të cilave ka marrë pjesën më të madhe të buxhetit. Eshtë ndërtuar një media panshqiptare ku pasqyrohet e gjithë albanosfera. Lëvizjet politike dhe partitë shkëmbejnë kontakte me njëra tjetrën dhe shfaqen së bashku nëpër aktivitete. Pyetja se çfarë forme politike do të marrë kjo albanosferë mbetet e hapur. Politikanët shprehen me shumë nënkuptime, duke u përpjekur nga njëra anë të mos prekin tabunë e perëndimit për mos ndryshim kufijsh dhe nga ana tjetër që të fitojnë sa më shumë votues.  Së pari në Kosovë, e më pas në Shqipëri e Maqedoni, shumica kërkon bashkim. "Kufijtë fizike duhet të bëhen të parëndësishëm", - thotë Sali Berisha. Kjo mund të nënkuptohet edhe si kufij të hapur për vendet e EU-së, por edhe si bashkim i shqiptarëve në një shtet. Kjo është një tjetër arsye për optimizëm mes nacionalistëve shqiptarë. Në ndryshim nga Bosnja apo Maqedonia, ekzistenca e të cilave varet nga hyrja apo jo në EU, bashkimi i shqiptarëve mund të ndodhe me ose pa EU.
Optimizmi i shqiptarëve ka edhe një arsye demografike. Kosova është vendi më i ri i Evropës dhe popullsia vazhdon të rritet. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë. Në Shqipëri rritja është stabilizuar. Pyetësorët tregojnë se shqiptarët jane të pakënaqur në raport me politikën, por ato tregojnë gjithashtu se ata besojnë në të ardhme. Në ndryshim nga sllavët, shqiptarët janë të bindur se ditët më të mira i kanë përpara.

Mobilizimi i vazhdueshëm nacionalist ka edhe çmimin e tij. Raporti me shumicën e fqinjëve është delikat. Vetëkuptueshëm që për këtë fajtorë nuk janë vetëm shqiptarët . Në veri të Kosovës konfrontacionet janë në rend të ditës. Nga kjo situatë përfitojnë politikanët që fshehin interesat e tyre klienteliste pas parrullave patriotike. Por ky mobilizim nacionalist frenon mbi të gjitha ndërtimin e një shoqërie civile. Në shoqëri, të cilat e perceptojnë veten si shoqëri nacionaliste ka shumë pak vend për ata që mendojnë ndryshe. Interesat politike dhe shoqërore të minoriteteve dhe të grave mund të injorohen shumë kollaj. Mbartësit e mendimit ndryshe mund të bien shumë kollaj nën kategorinë e "tradhëtarit". Kultura politike e diktaturës dhe ajo e guerriljeve vazhdon akoma të jetojë. Këtë e tregon edhe krahasimi i dy lëvizjeve civile. "Mjaft", një lëvizje civile për emancipimin e qytetarit, që luftonte për ekologjinë dhe planifikimin urbanistik të qyteteve pësoi një vdekje të butë, pasi u kooptua nga partia socialiste opozitare. Në të kundërt të saj, Vetëvendosja, lëvizje nacionaliste e majtë, vazhdon të jetë akoma e suksesshme. Kjo e kombinon kritikën kundër elitave të korruptuara dhe perëndimit kolonialist me idenë e Shqipërisë së Madhe.
Kjo tregon se mendimi ndryshe gjen mbështetje vetëm nën kostumin e një nacionalizmi të fortë. Kështu që ngelet detyrë e brezave të ardhshëm të zgjidhin paradoksin mes nacionalizmit dhe emancipimit të shoqërisë. Kjo bëhet gati e pamundur pa diasporën, pa të rinjtë e përhapur kudo nëpër botë, të arsimuar mirë dhe me eksperienca mbi/ndërkufitare.